Aventura letrare e Fishtës, për të krijuar eposin artistik të popullit shqiptar, duket se nuk mund të realizohej pa thirrur Zanën e frymëzimit, për të kënduar së bashku me të. Do të kishte mjaftuar ajo figurë mitologjike, e pranishme në të gjithë episodet e veprës, për të dëshmuar ngjizjen mitologjike të “Lahutës së Malcis”. Figura e Zanës së Frymëzimit na sugjeron të dallojmë origjinalitetin epik të Fishtës, lirizmin në “Lahutën e Malcis”, ironinë dhe, veçanërisht, lehtësinë e rrëshqitjes së poetit nga realja tek jorealja e anasjelltas, gjëra që përbëjnë përgjithësisht magjinë e verbit fishtjan.


Por Fishta nuk u mjaftua vetëm me krijimin e Zanës së Frymëzimit. Ai krijoi edhe personazhe të tjerë mitologjikë: Orën e Shqipërisë dhe Orë të tjera, Zanën e Madhe dhe Zana të tjera, Dragonjtë e Kuçedrën, Lugetërit, Shtrigat, Floçkën. Të gjitha këto figura përbëjnë shtratin mitologjik të veprës, por edhe Panteonin e munguar të mitologjisë


shqiptare në letërsinë e kultivuar. Ç’do të ishin perënditë e Olimpit, pa Iliadën dhe Odisenë? - e kanë shtruar prej kohësh çështjen mitologët pak a shumë, me një pyetje të tillë autori i këtij studimi u drejtohet lexuesve: ç’do të ishin shumë prej figurave të mitologjisë shqiptare pa “Lahutën e Malcis”?


Për ta veçuar këtë fakt, dhe për të hyrë më në thellësi hartës mitologjike të Fishtës, studiuesi Tonin Çobani ka përfshirë në një monografi gjithë elementët mitologjikë që kanë shoqëruar veprën e epikut shqiptar në “Lahutën e Malcis”.


“Kujtdo i ka ndodhur të mrekullohet prej lëndës mitologjike të “Lahutës së Malcis”. Edhe atyre që kanë ditur diçka a shumëçka për mitologjinë popullore shqiptare. Ndoshta, edhe etnologëve dhe albanologëve që kanë pasur njohuri të mira për mitologjinë evropiane. Të mrekulluar e kam ndier veten edhe unë sa herë kam kaluar nëpër duar atë vepër. Dhe e kam kaluar nëpër duar “Lahutën e Malcis”, i angazhuar, disa herë: kur e kam inskenuar për trupën amatore të Pallatit të Kulturës në Lezhë, kur së bashku me mikun tim prof. Tefë Topalli e kemi përgatitur për botim për shkollat e mesme, kur kam redaktuar Veprën 4, Epika, të botimit vepra letrare e plotë e Gjergj Fishtës, kur kam përgatitur shkrimet: Miti dhe antimiti fishtjan (1990); Fishta dhe Lezha; Lahuta e Malcis, rileximi; Si u shkrua “Lahuta e Malcis” etj.”, - shkruan Çobani në parathënien e botimit.


Më tej studiuesi vazhdon me impresionin e tij: “Më ka mrekulluar një Zanë, që i rri përkrah poetit nga episodi i parë i “Lahutës së Malcis” deri te kënga e fundit; një Zanë tjetër; Zana e Madhe e Vizitorit, që përleshet me Orën thepe të Malit të Zi; një Zanë-Orë e Shqipërisë që mëkon me energji të mbinatyrshme Ali pashën e Gucisë; Orët e Dukagjinit tek gatuajnë e u shërbejnë heronjve në bjeshkët e largëta; Orë e Zana, tek i bëjnë ceremonitë mortore Tringës; një Floçkë që mëson të flasë shqip dhe pastaj martohet e lind bij e bija me një djalosh malësor; Dragonjtë që mundin Kuçedrën; Lugetërit, si hije vdekjeje e Shtrigat, që udhëtojnë fluturim mbi breshka deti për të marrë pjesë në një “tubim ndërkombëtar”, diku në Kotorre të Reja etj.


Të mrekulluarit tek unë është emocion që shoqërohet me kënaqësi estetike, por edhe me habinë e të mistershmes. Këtë të fundit e kam ndier sa herë kam rënë në kontakt me figura e subjekte mitologjike. Por te Fishta ajo më shoqërohej vazhdimisht me një kërshëri që më grishte ta shtyja kënaqësinë time deri në arsyetimin e këtyre figurave. Lexoja gjithçka ishte shkruar para dhe pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri a diasporë për “Lahutën e Malcis”. Të them të drejtën në asnjë rast nuk e shova kërshërinë plotësisht dhe aq më pak të kënaqesha me një arsyetim bindës a të mjaftueshëm. P.sh., të bindesha përse Dragonjtë e “Lahutës së Malcis”, që përbëjnë tërë argumentin epik të këngës së 16-të (“Kuçedra”) dhe më shumë se gjysmën e këngës së 17-të (“Në Qafë-Hardhi”) e ndonjë fragment të këngëve tjetër (si kënga 26, “Koha e Re”), të ishin heronj, ndërsa në mitologjinë biblike dhe në atë klasike greko-romake ishin përjetësuar si figura antagoniste që simbolizojnë fuqinë demoniake të shkatërrimit. Edhe Shën Gjergji, emrin e të cilit kishte marrë Fishta kur qe dorëzuar frat, është përjetësuar figurativisht kudo nëpër kisha duke mundur Dragoin, simbolin e së keqes, errësirës... Nuk më linte të qetë pyetja: përse Fishta këndon te Dragonjtë të kundërtën e asaj, që, në fund të fundit, ia kërkonte edhe zhguni i fratit që mbante veshur?


Kur i dhashë përgjigje kësaj pyetjeje, mbështetur në studimet bashkëkohore për mitologjinë, veçanërisht, për mitet anglo-saksone, botova shkrimin “Dragonjtë, origjina mitologjike e shqiptarëve”. Më parë kisha zgjidhur misterin e Floçkës, për të cilën më ndihmoi një subjekt i përafërt, trajtuar në baladën e Martin Camajt me titull “Legjenda e Shotës”, të cilën e kisha botuar me titullin “Një histori dashurie, legjenda e zanafillës së fisit shqiptar”. Më pas pata guximin të merresha edhe me Zanat e Orët e “Lahutës së Malcis”, me Lugetërit dhe Shtrigat etj., që përbëjnë kapituj të veçantë të këtij libri për figurat mitologjike në “Lahutën e Malcis”. Monografia merr përsipër t’u japë përgjigje edhe disa çështjeve që lidhen me magjinë e verbit fishtjan, me strukturën narrative të veprës së tij, me lirizmin e dozat e satirës, me ndikimet etj. Nëse studimi im nuk arrin të shuajë në mënyrë shteruese kërshëritë e lexuesit, gjë që do të ishte e pamundur, mjafton që të ndihmojë sado pak për ta kthyer vëmendjen pa “kërveshur buzët mbi thjeshtësinë e artë të mitologjisë” në “Lahutën e Malcis”.


Për këtë botim Prof. dr. Mark Tirta shkruan se: “Tonin Çobani është marrë me zbërthimin figurativ, po dhe me kuptimet popullore të trashëguara në shekuj të figurave mitike si Dragoi, Kuçedra, Ora, Zana, Shtriga, Floçka, Lugati e me radhë, që Fishta i ka përdorur në veprën “Lahuta e Malcis”... Autori ka zbërthyer me shumë skrupulozitet çdo dukuri të paraqitur me elemente mitike në këtë vepër të Fishtës dhe ka vlerësuar funksionet artistike që ato paraqesin në vështrim të gjithanshëm: si krijimtari letrare e një niveli të lartë e ndërkohë me natyrë komunikimi tepër popullor...”.