07-10-2011 / Gazeta 55

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, në intervistën e parë publike, tregon edhe vendosmërinë për nxjerrjen e kryeqytetit nga ngërçi ku e kishte lënë Edi Rama. Bashkëpunimi me komunitetin dhe me qeverinë qendrore, hapësirat e gjelbra, unaza e madhe, dy linjat e tramvajit si dhe sistemimi i Lumit të Tiranës, objektivat e afërt të administratës së re të bashkisë

Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha prezantoi dje në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, vizionin e tij për modernizimin e qytetit të Tiranës. Basha tha se ka nisur punën si i pari i qytetit me pikësynim kryesor hartimin e një plani të ri urbanistik, për t’i shërbyer qytetit të Tiranës në gjithë hapësirën e tij. Kryebashkiaku Basha vuri në dukje se administrata e re e qytetit, po përgatit vizionin strategjik për Tiranën e së nesërmes, Tiranën e zhvilluar dhe Evropiane. “Bashkia e Tiranë s’ka asnjë plan urbanistik të përfunduar, por vetëm një plan që është duke u punuar. Ne po bëjmë gati vizionin strategjik, parametrat teknikë të kritereve të ndërtimit, duke përfshirë në këtë vizion konsensusin e informuar të qytetarëve dhe duke i dhënë këtij vizioni formë vizive. Plani do të jetë gati brenda majit të vitit të ardhshëm dhe po punojmë fort për ta mbajtur këtë premtim” - u shpreh Basha. Ai theksoi se plani francez për administrimin e qytetit, ka nevojë për rishikim pasi ka një shmangie. “Ai nuk është qëllim në vetvete, por efekt për ndërtimin e planit të ri urbanistik të Tiranës i cili ka dy zhvillime kryesore: “Kthimin e pronës private dhe rikthimin e hapësirave publike, gjelbërim me çdo kusht”” - tha ai. Basha shtoi se lejet e ndërtimit do jenë të bllokuara deri në miratimin e planit të ri urbanistik. “Siç ka deklaruar më parë, deri në miratimin e planit të ri urbanistik, do të vazhdojnë vetëm ndërtimet e licencuara, si dhe do të ecet përpara me punët publike, të cilat s’mund të mbeten peng”. Për kryetarin e bashkisë permanente është ndërhyrja në normalizimin e trafikut. Sipas tij, ky ka qenë një nga problemet kryesore dhe fatmirësisht bashkia ka ndërhyrë në kohë në të gjitha nivelet, por për sheshin “Skënderbej” problemi është më i theksuar për shkak të papërshtatshmërisë së projektti fillestar. “Me marrjen e detyrës së kryetarit të Bashkisë vura re me keqardhje se projekti i sheshit nuk e lehtësonte trafikun, pasi ishin injoruar të tjera projekte siç është unaza e vogël. Projekti siç ishte nisur, përveç shkeljeve ligjore, sillte një ngërç të madh në trafik dhe ky ngërç i përcillej të gjithë qytetit, nga Kinostudio në Kombinat, nga Selita në Bregun e Lumit. Ndaj, ne ndërmorëm një numër vendimesh me rivendosjen e trafikut në sheshin “Skëndërbej”, deri në finalizimin e një projekti të ligjshëm. Me projektin aktual problemi kryesor është trafiku si dhe aprovimi final, i cili nuk erdhi pasi një nga kriteret e aprovimit do të ishte mbrojtja e sheshit si monument kulture. Projekti nuk u aprovua. Financimi i deritashëm nuk shkon dëm, pasi është ndërhyrje nëntokësore. Hapi tjetër është trajtimi i sheshit si zgjidhës i problemeve dhe jo i shtimit të tyre. Nevoja për të përshtatur lëvizjet jashtë sheshit si dhe nëse sheshi është i përshtatshëm për trafikun e makinave. Në këtë kuadër sheshi do të rikonceptohet. Ekspertët do të gjykojnë opsionet, ndërkohë që trafiku do të kthehet në sheshin “Skënderbej”. Mbrojtja e interesave të qytetarëve të Tiranës është thelbësore për bashkinë e Tiranës dhe qytetarët e saj”- deklaroi kryetari i bashkisë. Basha tha se hapja e sheshit “Skënderbej” për automjetet do bëhet brenda 15 nëntorit, ndërsa finalizimi i punimeve në shesh do zgjasë deri në fund të vitit. “Punimet kanë nisur me një intensitet të plotë dhe parashikohet që asfaltimi të përfundojë brenda 15 nëntorit, pikërisht menjëherë pas asfaltimit të tij, do të rikthehet trafiku i automjeteve. Porsa i takon pjesës estetike të sheshit, punimet do të zgjasin deri në 31 dhjetor”- tha Basha. 

Projekti final i sheshit “Skënderbej” dhe zgjatja e bulevardit “Stacioni i Trenit – Bregu i Lumit – Paskuqan” 

“Dy do të jenë konsideratat kryesore, e para do të jetë zgjidhja estetike, e kënaqshme dhe e qëndrueshme në vite. Absolutisht që do të konsiderohet mundësia që sheshi të lihet i lirë nga trafiku, por më parë duhen studiuar arteriet e tjera të qytetit, në mënyrë që qarkullimi i automjeteve të mos shoqërohet me probleme. Sheshi duhet parë në ansambël dhe ansambël është i gjithë bulevardi i Tiranës. Aksi për projektimin e bulevardit të ri nga stacioni i trenit e deri te bregu i lumit, Bulevardi i ri “Stacioni i Trenit – Lumi i Tiranës”, arterie e cila zgjatet deri në Paskuqan. Tirana, ky qytet me një energji të jashtëzakonshme do të tërheqë interesin e të gjithë investitorëve. Do ketë një konkurs ndërkombëtar ku do jenë të pranishme firmat më të mëdha. Gjithçka do jetë në transparencë të plotë me publikun. Bëhet fjalë për firma të cilat kanë ndërtuar qytete të mëdha në SHBA, Evropë dhe Azi. Përgjatë bulevardit kemi parashikuar Pallatin e ri të Drejtësisë, ndërtesë për Opera, ndërtesa qeveritare, galeri artesh si dhe për ndërtesa të tjera, qoftë kulturore apo edhe sportive në hapësirë. Është menduar gjithashtu edhe për interesin privat të bizneseve, të cilët do kenë hapësirën e tyre”. 

Sheshi Skënderbej do të dominohet nga gjelbërimi

“Mes Bankës së Shqipërisë dhe Muzeut Kombëtar do ketë një pyll të vogël. Gjithçka është në funksion të gjelbërimit. Synimi ynë është gjelbërim me çdo kusht, çdo hapësirë ku ne do të ndërhyjmë për të gjelbëruar, do të bëhet”.

Bulevardi i ri, do pyeten qytetarët

Nëpërmjet adresës së bashkisë në internet, faqes zyrtare të kryebashkiakut Basha në rrjetin social Facebook, qytetarët kanë mundësi të japin mendimin e tyre se çfarë duan dhe çfarë presin nga ky aks i ri i bulevardit të Tiranës. “Ju siguroj se mendimet tuaja, sugjerimet tuaja do të jenë pjesë e konsideratave dhe do t’i paraqiten firmave të cilat do të jenë në konkurs. Kjo është Tirana e qytetarëve dhe qytetarët do jenë ata që do dëgjohen në çdo vendimmarrje”- tha Basha.

Tirana me dy linja Tramvaji
Tramvaji 1, Laprakë – Bulevardi i ri – Bulevardi Zogu i Parë – Sheshi Nënë Tereza
Tramvaji 2, Kombinat – Kinostudio

Xhamia e re e Tiranës
“Komuniteti mysliman ka kërkuar hapësirën e Namazgjasë për ndërtimin aty, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, të Xhamisë së re. Komuniteti mysliman është një palë drejtpërdrejt e interesuar e cila s’mund të injorohet dhe pikërisht kjo vendimmarrje do të kalojë përmes transparencës dhe thithjes së opinioneve të qytetarëve”. 

Gati projekti për normalizimin e trafikut të Rr.Elbasanit
Hyrja nga Rr.Elbasanit dhe kryqëzimi mbi lumin e Lanës, dy nyjet më problematike të qytetit. Nga varrezat Dëshmorët e Kombit deri te Fakulteti Ekonomik, bashkia e Tiranës ka gati projektin, ku parashikohet të ndërtohet një segment prej 2 km me katër korsi. Më problematike duket situata në kryqëzimin mbi lumin e Lanës, përballë këndit të lojërave, për të cilin bashkia e Tiranës po studion çdo segment dytësor për lehtësimin e trafikut dhe normalizimin e qarkullimit.

Hipotekat
“Siç edhe e dini është nënshkruar marrëveshja mes dy Ministrive dhe Bashkisë së Tiranës, për zgjidhjen e këtij problemi që prek 1 nga 5 qytetarë të Tiranës. Ne po përmbushin pjesën tonë të detyrimit, duke inventarizuar të gjitha objektet që janë ndërtuar pa leje shfrytëzimi. Përmes një akti në bashkëpunim me Qeverinë, bashkia e Tiranës do kolaudojë për 120 mijë objekte banimi. Bashkia e Tiranës do të marrë përsipër atë që nuk e bëjnë dot ndërtuesit. Bashkia e Tiranës do të marrë përsipër rolin e ndërtuesve për regjistrimin e pasurive te hipoteka”.

Zhvillimi i biznesit
“Në këshillin bashkiak më 12 tetor shkon propozimi i kryetarit të bashkisë për uljen e 60 taksave dhe tarifave”.

...