KQZ: Rezultatet “online” dhe me vërtetësi





466 kamera, shpejtësia në kohë reale








Jo vetëm zgjedhje të lira, por edhe shpallje të rezultatit brenda 24 orëve nga dita e votimit. Informacion që nuk do kohë të vërtetohet, pasi gjithçka do të jetë transparente përmes videove dhe shpejtësia në kohë reale. Në këtë mënyrë merr fund zvarritja tashmë e njohur me daljen e rezultatit të votimeve sa herë që shqiptarët votojnë. Kjo, për faktin se KQZ pretendon që rezultatin e votimit ta shpallë një ditë pas zgjedhjeve të reja parlamentare, pikërisht në datën 29 qershor. Praktika e njohur në vendet perëndimore tashmë pritet të ndiqet edhe në Shqipëri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jep garanci se rezultati i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare mund të mësohet brenda 24 orëve nga mbyllja e kutive të votimit. Në këtë garë të re që KQZ-ja do të tentojë të fitojë kryesisht me mediat e pastaj me besimin e shqiptarëve, këtij institucioni do t’i vijë në ndihmë sistemi i monitorimit me kamera në kohë reale. Është sistemi i ri që po funksionon që prej 2 muajsh për mbledhjet e KQZ-së, çka bën të mundur ndjekjen e tyre “online” në çdo cep të botës. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Leonard Olli, sqaroi dje për mediat se “kjo praktikë e re rrit transparencën dhe jep mundësi të merresh edhe me diçka tjetër. Si p.sh., të interesohesh në internet, po në faqen e KQZ-së, për listat e zgjedhësve. Pas një kërkimi të shpejtë, u verifikua se një votues jo vetëm e ka emrin në listë, por aty saktësohet edhe se në cilën qendër votimi i duhet të shkojë me 28 qershor”. Mbledhja e KQZ-së vazhdon gjithmonë “online”, nën vëzhgimin e kamerave të vendosura në sallë. Sipas të njëjtit parim, të sanksionuar edhe në Kodin Zgjedhor, çdo tavolinë ku do të numërohen votat do të mbulohet nga një kamera me rezolucion të lartë, imazhet e së cilës do të shfaqen në një monitor. Për zgjedhjet e ardhshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar 66 vende të numërimit të votave. Numërimi në rang republike do të monitorohet nga rreth 400 kamera. Me iniciativë të vetë KQZ-së, këtyre do t’u shtohen edhe 66 kamera të tjera, që do të japin një pamje 360º të secilës sallë ku po numërohen votat. "Këto 66 kamera do të rrisin jo vetëm transparencën mbi atë se çfarë ndodh, po do të publikojnë rezultatet “online” dhe në kohën 0", - u shpreh zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli. Nga ana tjetër, dy monitorë të mëdhenj do të japin grafikisht rezultatet, në monitorë të tjerë anëtarët e KQZ-se dhe mediat e akredituara do të ndjekin drejtpërsëdrejti gjithçka ndodh gjatë procesit të numërimit. Jo më informacione me faks, telefon, apo me gojë, informacion shpesh i ndryshuar apo edhe i fryrë, që do kohë të vërtetohet. KQZ-ja garanton se gjithçka do të jetë në video dhe në kohë reale. Sa herë që Shqipëria ka zhvilluar zgjedhje, shpallja e rezultatit të tyre është shoqëruar me debate të forta politike deri dhe kontestime për shkak se palët konkurruese kanë akuzuar për manipulime të rezultatit. Por me praktikën e re të KQZ-së, duke futur në lojë kamerat dhe videot jo vetëm që do të kemi një shpallje të shpejtë të votimit, por dhe një saktësi të tij, gjë që do të mbyllë të gjitha shtigjet e partive politike për të kundërshtuar rezultatin e 28 qershorit.