Zgjidhja që kryetarët e partive do të gjejnë për motivimin e të gjithë kandidatëve. Kandidatëve të vendeve të fundit do t’u ofrohen poste të rëndësishme në qeverisje


Shaban Sulçe





Partitë politike po mendojnë të gjejnë një zgjidhje efikase për të mbajtur të motivuar në fushatën elektorale të gjithë kandidatët e tyre në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Mënyra se si do të konkurrohet dhe se si do të shpërndahen mandatet e deputetëve e minimizon mundësinë që një parti apo një koalicion i vetëm të fitojë po aq mandate deputetësh sa edhe numri i kandidatëve që do të ketë në listë në secilin qark. Dhe një gjë e tillë në pamje mund të sjellë demotivim gjatë fushatës elektorale të kandidatëve, të cilët renditen në mesin apo në fundin e këtyre listave. Për këtë arsye, drejtuesit e partive po mendojnë të ofrojnë si zgjidhje një formulë kompensimi në drejtim të atyre kandidatëve, të cilët do të pranojnë që të renditen në vendet e fundit të listave. Në mënyrë që të jenë të angazhuar dhe të kontribuojnë maksimalisht në fushatë për të grumbulluar vota, atyre do t’u ofrohen pozicione të rëndësishme drejtuese në administratën shtetërore në rast fitoreje. Kjo formulë “kompensimi” pritet që të motivojë të gjithë kandidatët, duke u angazhuar plotësisht për të fituar sa më shumë vota, në zonat zgjedhore ku kandidojnë.



Votat

Formula që do të përdoret për shpërndarjen e mandateve e bën edhe një votë të vetme që të jetë përcaktuese për fitimin e mandatit të deputetit. Siç dihet, në Kodin Zgjedhor është sanksionuar formula D’Hondt, e cila nënkupton që “numri i votave të vlefshme në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Hapi nga njëri pjesëtues te tjetri është 1”, gjë që do të thotë se në qarqet me numrin më të madh të deputetëve mandatet do t’u shpërndahen atyre subjekteve apo koalicioneve, të cilat kanë shifrat më të larta të presjeve dhjetore. Konkretisht marrim rastin e Tiranës, ku për të përcaktuar se cila parti apo koalicion do të fitojë deputetin e 32-të, votat e partive do të pjesëtohen me 32, pasi janë pjesëtuar 32 herë me radhë. Kjo formulë e tillë e bën një votë mjaft të vlefshme dhe kjo duket se është arsyeja që kryetarët e partive kanë menduar zgjidhjen e mësipërme për të motivuar kandidatët e tyre.



Kryetarët

Ndërkohë për kryetarët e partive, Kodi Zgjedhor rezulton të jetë më favorizues në krahasim me kodin e mëparshëm përsa i përket garantimit të shanseve të tyre për të siguruar mandatin e deputetit. Nëse në Kodin e mëparshëm, kryetarëve të partive u sigurohej e drejta për të vendosur emrin të parin në listën proporcionale kombëtare, e njëjta gjë, por me përmasa më favorizuese, do të ndodhë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu, kryetarët e partive të vogla kanë të drejtë të vendosin të parin emrin e tyre në listë në të 12 qarqet njëkohësisht. Thënë më qartë, kryetari i një partie mund të jetë i pari i listës së partisë së tij si në Qarkun e Tiranës, ashtu edhe në Qarkun e Shkodrës, Durrësit, Fierit etj. Një gjë e tillë sanksionohet në pikën 3 të Nenit 67 të Kodit të ri Zgjedhor, ku thuhet se kryetarët e partive politike, që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni, mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend. Aktualisht, kryetarët e partive të vogla kanë deklaruar se do të refuzojnë ta shfrytëzojnë këtë hapësirë të Kodit, megjithatë priten surpriza. Lista e kandidatëve për deputetë do të depozitohet në KQZ 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe deri atëherë shumë prej kryetarëve të partive të vogla pritet të vendosin emrat e tyre si kryesues të listave në pjesën më të madhe të qarqeve.



Elbasani



Ndryshe nga sa pritej, do të jetë Qarku i Elbasanit dhe jo Qarku i Tiranës arena e përballjes së kryetarëve të partive të vogla në zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu, kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, si dhe kryetari i Partisë Ambientaliste, Lufter Xhuveli, kanë deklaruar se do të garojnë në Qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjithashtu të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi apo kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Zgjedhja për të kandiduar në Qarkun e Elbasanit duket se ka të bëjë më shumë me një lëvizje taktike, pasi ky qark konsiderohet qarku i dytë me pragun më të ulët elektoral. Ndërkohë, në Qarkun e Tiranës, ku pragu elektoral është më i ulëti, kryetarët e partive mund të caktojnë të parët në listë bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë.



















Qarqet



Qarku Numri i Numri

votuesve i deputetëve

Tiranë 660505 32

Fier 327918 16

Vlorë 257258 12

Elbasan 282528 14

Korçë 246700 12

Berat 150871 8

Dibër 116431 6

Durrës 265180 13

Gjirokastër 112728 5

Kukës 66375 4

Lezhë 135890 7

Shkodër 218560 11









4 koalicionet në zgjedhje



1-Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Demokrate e Re, Lëvizja e Legalitetit, Partia Aleanca Demokratike





2-Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia G99



3-Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste e Vërtetë 1991, Partia e Gjelbër, Partia Lëvizja për të Drejtat e Njeriut



4-Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar





6 Prill 2009