11/01/2011  


Kush do të jenë kandidatët për kryetar bashkie


Korçë, socialistët “më të vjetrit”,


PD dhe LSI rifreskohen


VEPROR HASANI


KORÇE- Megjithëse strukturat partiake të dy partive më të mëdha politike, të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ende nuk kanë përzgjedhur kandidatët e tyre për kryetar bashkie, sërish mes strukturave të tyre dhe militantëve kanë filluar të përfliten emra konkret për të gjitha bashkitë e qarkut të Korçës. Megjithatë, për sa i përket Partisë Socialiste duket se nuk do të ketë surpriza. Socialistët do të garojnë sërish me kryetarët aktualë të bashkive, pasi ata janë fitues të disa mandateve, si në Korçë, në Pogradec dhe në Ersekë, ndërsa do të ketë emra të rinj për bashkinë e Bilishtit. Partia Socialiste i druhet mjaft daljes me kandidatë të rinj, sepse të vjetrit tashmë i konsideron të konsoliduar. Ndërkohë Partia Demokratike është e detyruar të dalë me kandidatura të reja, pasi ka qenë humbëse në qytet e përmendura më lart, përveç Bashkisë së Bilishtit në rrethin e Devollit, ku kandidati i saj mori një fitore të sigurt. Gjithsesi, të vetmet të papritura që mund të dalin në ditët në vijim do të jenë të kushtëzuara nga fakti nëse Partia Demokratike dhe LSI-ja do të dalin ose jo me kandidatë të përbashkët në këto qytete. Këtij koalicioni po i druhet jo pak Partia Socialiste, gjë që vërehet edhe në radhët e militantëve.


Kandidaturat


Pika më e nxehtë për të majtët dhe të djathtët mbetet Bashkia e Korçës, pasi ajo është dhe bashkia më e madhe e këtij qarku. Për këtë arsye, në mungesë të një kandidature tjetër, Partia Socialiste nxitoi të miratojë kandidaturën e kryetarit aktual Niko Peleshit, me qëllim që ky i fundit të nisë sa më parë të jetë e mundur për sigurimin e mbështetësve të tij. Peleshi aktualisht mbetet e vetmja kandidaturë e miratuar nga strukturat e Partisë Socialiste. Ndërsa Partia Demokratike do të vendosë përballë Peleshit, Andrea Manon, aktualisht prefekt i qarkut Korçë. Gjithsesi, ajo që do ta përcaktojë përfundimisht këtë kandidaturë do të jetë koalicioni PD-LSI, pasi në këtë qytet po përflitet gjithnjë e më shumë se PD-ja dhe LSI-ja do të jenë së bashku. Ndërsa për sa i përket qytetit të Pogradecit, duket se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të jenë së bashku. Kandidati i tyre i përbashkët, edhe pse i pakonfirmuar zyrtarisht, do të jetë Luan Topçiu. Ndërkaq Partia Socialiste do të ketë si kandidat kryetarin aktual të bashkisë Artan Shkëmbin. Në qytetin e Bilishtit, për Partinë Demokratike do të konkurrojë kryetari aktual, Valter Miza, pasi konsiderohet një kandidaturë e sigurt, ndërsa për Partinë Socialiste kandidaturat më të përfolura deri më tani mbetet kryetari i Partisë Socialiste i Devollit, Arben Begolli, dhe biznesmeni Romi Sallo. Kurse në qytetin e Ersekës, për Partinë Demokratike dëshiron të kandidojë vetë kryetari i kësaj partie Viktor Duro, por ndërkohë një emër mjaft i përfolur mbetet dhe Edmond Lika, aktualisht përgjegjës i zyrës arsimore për rrethin e Kolonjës, i cili ka mjaft mbështetës në radhët e kësaj partie. Megjithatë, vetë Partia Demokratike në këtë qytet, ndjen nevojën e bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi në këtë qytet PD-ja nuk e ka shijuar fitoren asnjëherë.


Kandidatët e diskutuar për qarkun e Elbasanit


Emrat për kryetar bashkie, lëvizjet brenda kampeve


ELBASAN- Në ditët e para të janarit kur mbeten edhe 4 muaj nga zgjedhjet vendore në bashkitë e qarkut të Elbasanit ka filluar diskutimi për kandidaturat nga dy kampet, duke përfshirë edhe LSI, e cila pritet të marrë disa zona të lira. Kështu PS deri tani ka konfirmuar si kandidat për Bashkinë Elbasan kryetarin aktual Qazim Sejdini. Ndërkohë PD duket se është më pak e vendosur në këtë drejtim. Kreu i PD Luçiano Boçi deklaroi se propozimet për kandidatët do të diskutohen gjatë këtij muaji dhe do të zgjidhet kandidati më i mirë. Aktualisht emrat që qarkullojnë në opinione e diskutimet jo zyrtare janë Ardian Turku, Luçiano Boçi, Aurel Bylykbashi. Por me gjithë këtë Bashkia Elbasan duke u konsideruar më e rëndësishmja nga të dy kampet mund të përfshihet nga surpriza si ajo e Durim Hushit, i cili kaloi së fundi në LSI. Ndërkohë bashkitë e tjera kanë më pak emra në diskutim. Kështu Bashkia Cërrik mund të lihet zonë e lirë për LSI me kandidat të mundshëm Astrit Xhelilin, ndërkohë që emrat e përfolur nga dy kampet janë Servet Duzha për PD dhe Arben Ruçi për PS. Partia Socialiste mendohet të rikandidojë emrat që kanë drejtuar njësitë vendore duke përmendur këtu kreun e Bashkisë Belësh Arif Tafani, i cili pritet të rikandidojë përballë Bexhet Uruçit të PD. Sa për Bashkinë Gramsh pritet që edhe kjo njësi të diskutohet për zonë të lirë të LSI ku mund të kandidojë nënprefekti aktual Shkëlqim Hoxha, në rast se nuk merret nga LSI Kastriot Zëre për PD dhe Dritan Bici, kryetar i PS të Gramshit. Për Bashkinë Peqin pritet të rikandidojë kryetari aktual Ilir Rrushi, ndërkohë që për PS diskutohet ish-kandidati për deputet Bukurosh Maçi. Në Bashkinë Librazhd emrat që janë në sitën e diskutimeve janë Arianit Leka për PD dhe kryetari aktual Kastriot Bega. Gjithsesi siç e thonë edhe vetë krahët politikë asnjë prej kandidatëve nuk e ka siguruar kandidimin, pasi fillimisht Berisha dhe Meta do të ndajnë zonat e kandidimit dhe do të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit. PS duket më e konsoliduar në përzgjedhjet e saj, por gjithsesi asgjë nuk është e sigurt 4 muaj para zgjedhjeve. Shumë kryetarë komunash pritet të rikandidojnë në zgjedhjet vendore, por ka edhe nga ata që do të ndërrohen për pakënaqësi dhe konsum të madh politik gjatë këtyre viteve.


Në pritje të direktivave nga “lart”


Nis jo zyrtarisht gara mes kandidatëve


që duan të jenë kryebashkiakë


FIER- Shfaqen emrat e para të kandidatëve për zgjedhjet e pritshme të 8 majit. Një prej emrave të njohur kandidat nga ana e PD Fier është Vasil Ndreko një prej emrave të spikatur qysh në themelimin e PD Fier, që sot mban postin e sekretarit të përgjithshëm të prefekturës Fier. Ai nuk e fsheh dëshirën e kandidimit për zgjedhjet vendore të afërta të 8 majit. Një emër tjetër po kaq i lakuar nga selia blu është edhe ai i Ferdinand Muratit, i cili mban postin e kreut te Albpetrolit dhe kreut te PD dega Fier. Kurse selia rozë po pret përfaqësues të kompanisë së huaj me të cilët është bërë kontratë dhe do të bëjë sondazh për zgjedhjen e kandidatit më të mundshëm fitues. Ndërkohë burime jozyrtare brenda selisë rozë përflasin për kandidatura të mundshme atë të Arjol Mucës kreut të PS në rreth, Baftjar Zeqaj kreut të Bashkisë Fierit dhe Haxhi Kallucit nënkryetar bashkie në Fier. Ndërsa nga LSI del një emër ai i Ferdinand Cukovës, kreu i LSI në rreth. Zyrtarisht partitë kryesore në vend që përfaqësohen edhe në Fier janë në pritje të udhëzimeve përkatëse nga drejtuesit e tyre në qendër, ndërkohë që prefektura e Fierit deklaron se ka përgatitur të gjithë infrastrukturën e duhur zgjedhore. A. Damini


Në luftë dhe për atë të Koplikut dhe Pukës


Për Bashkinë e Shkodrës, PD


në garë 3 konkurrentë të fortë


SHKODER- Në qarkun e Shkodrës kanë filluar të përfliten emrat e parë që pretendojnë të konkurrojnë për drejtimin e bashkive në zgjedhjet e pushtetit vendor të 2011-ës. Për Bashkinë e Shkodrës fliten si konkurrentë 3 kandidatë të PD-së. Kandidati i parë është kryetari aktual i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Duke qenë për disa vite edhe kryetar i degës së PD-së së Shkodrës dhe i Këshillit të Qarkut Shkodër, është një nga figurat më të njohura të kësaj partie. Një tjetër figurë e rëndësishme e PD-së në Shkodër, që pritet të kandidojë për kreun e Bashkisë së Shkodrës është deputeti Astrit Bushati, kryetar i degës së PD-së Shkodër, deputet i disa legjislaturave të Parlamentit shqiptar-PD. Përveç këtyre dy figurave kryesore të PD-së në Shkodër, në garë pritet të hyjë dhe emri i Xhemal Bushatit, këshilltar i Këshillit Bashkiak. Ndërkohë për kreun e Bashkisë së Koplikut pritet një përplasje e fortë për nxjerrjen e një kandidati nga PD-ja, apo LSI. Si konkurrenti më i fortë nga dega e PD-së Malësi e Madhe është në lojë emri i Ramadan Likës, që është dhe kryebashkiaku aktual i qytetit të Koplikut, ndërsa nga LSI pritet të konkurrojë kreu i degës së kësaj partie në këtë rreth Ridvan Hebaj. Për Bashkinë e Pukës kanë dalë emrat e Rrustem Strugës, si përfaqësues i PS-së, aktualisht kryetar i kësaj bashkie, si dhe Gjon Zeka, si përfaqësues i PD-së. V. Abdyli


Gjirokastër, loja më e fortë në kampin socialist


Pesë kandidatë për të sfiduar


kryetarin aktual


GJIROKASTËR – Pesë intelektualë që përfaqësojnë dy forcat më të mëdha politike në Gjirokastër, PS e PD, duhet të sfidojnë në radhë të parë Flamur Bimen, i cili ka shprehur rikandidimin e tij për herë të tretë, për të fituar karrigen e kryebashkiakut të qytetit të gurtë.


Lufta më e ashpër për ti zyrtarizuar si kandidatë për kryetar bashkie po zhvillohet aktualisht në degën e PS-së, ku dy grupe kundërshtare prej vitesh po luftojnë ashpër për të rrëzuar kandidaturat e njërit-tjetrit. Flamur Bime, kryetari aktual i Bashkisë së Gjirokastrës, përpara se të vendos për të kandiduar duhet patjetër të sfidojë pedagogen Elvira Shapllo. “Këto dy emra janë potencialisht të denjë për të kandiduar për karrigen e kryebashkiakut, por të dy kandidatët mund të rrezikojnë në 8 maj, ditën ku sovrani do japi votën, për shkak të përplasjeve brenda gjirit të kësaj force politike”, shprehet një analist, duke shtuar se PS-ja ka “një as nën mëngë”, i cili është mjeku Roven Sinani, rreth 30 vjeç, njeriu që mund të hyjë në garë në rast se dy kandidatët nuk miratohet nga “lart”. Në kampin tjetër politikë, PD, situata është shumë e qetë dhe lufta midis tre kandidatëve Mimoza Como, arsimtare, prefektja aktuale e qarkut të Gjirokastrës, Nikolla Zhulla, ekonomist, kryetar i degës së Tatim-Taksave dhe Teodor Bilushi nga shoqëria civile, që të tre gjirokastritë “24 karatë” presin qetësisht verdiktin e liderit të kësaj force politike, njëherazi Kryeministri i vendit. T. Skuqi


Kush përflitet


Konkurrentë për kryebashkiakë në Berat


Në Berat PD dhe LSI do jenë në koalicion, nga i cili pritet të jetë si kandidat kryesor Petrit Sina me profesion mësues. Ndërkohë PS duket se do ti japë mundësinë sërish kryebashkiakut aktual Fadil Nasufi të mbajë këtë post dhe për 4 vite të tjera. Ndërsa në Bashkinë Kuçovë përflitet se nga PS do të jetë kandidat Arben Dosti, me profesion jurist, ndërsa Rustem Berhami përflitet se do të kandidojë nën siglën e PD-së për Bashkinë Çorovodë. Ekonomisti Nesim Spahiu do të përpiqet të çojë në fitore koalicionin LSI + PD për marrjen e Bashkisë së Çorovodës. Ndërsa për Bashkinë e Urës Vajgurore pritet të rikandidojë nga kampi socialist Adriatik Zotka. S. Gorrica