Autori i Lajmit: Entela Duraj
Matura Shtetërore



Maturantët janë në pritje të plotësimit të fomularit A2,i cili nuk ka mbërritur ende në shkolla. Duket se arsyeja është procesi zgjedhor i cili ka bllokuar procesin e Maturës Shtetërore, përderisa gjithë vëmendja është përqëndruar në numërimin e votave dhe shpalljen e rezultatit. Sipas procedurës maturanti pasi të jetë njohur me notat e dy provimeve të detyruara (letërsisë dhe matematikës) hapi i radhës për në universitet është formulari A2, shpërndarja e të cilit po vonon. Ky i fundit që përmban edhe preferencat e maturantëve nuk është shpërndarë ende nga Ministria e Arsimit. Ndërkohë që paralelisht me shpërndarjen e A2-it duhet të ishin miratuar edhe kuotat e studimit për vitin akademik 2009-2010. Zyrtarizimi i kuotave për në universitet do ti ndihmonte maturantët të bënin përzgjedhjen e duhur të 10 preferncave në formularin A2.

Përmbajtja e A2

Plotësimi i formularit A2 do të listojë ato degë ku maturantët kanë më shumë probabilitet për të fituar. Nga 10 degë që mund të zgjedhin, nxënësit do të shpallen fitues vetëm në një degë, në degën e tyre të preferuar, të përcaktuar me plotësimin e saktë të formularit A-2. Ky i fundit, para se t i jepet nxënësit, do të plotësohet me përgjegjësi dhe pa korrigjime fillimisht nga mësuesi kujdestar, i cili plotëson notën mesatare, vetëm më pas maturanti rendit 10 preferencat e tij. Specialistë të arsimit pohojnë se kandidatët duhet të nisin procedurën e plotësimit të formularit të preferencave vetëm pasi të jenë njohur me notat e provimeve të detyruara, proces i cili tashmë ka ditë që ka përfunduar. Në këtë mënyrë ata do të mund të përllogaritin me përafërsi se sa pikë iu duhet të marrin në provimet me zgjedhje. Kështu do të mund të zgjedhin lëndët ku ndihen më të aftë, duke mos rrezikuar humbjen e një viti akademik. Shpërndarja e parakohshme e formularit bëhet me qëllim që maturantët të njihen me të gjitha degët që gjenden aty dhe të binden se cilat prej 210 degëve, duan të zgjedhin.

Ekspertët

Në kohën e plotësimit të formularëve në shkolla do të shpërndahen persona ekspertë, që do të orientojnë maturantët në plotësimin e duhur, si dhe në shmangien e gabimeve që mund t i skualifikojnë ata.

Plotësimi

Sipas afatit plotësimi i formularit të preferencave duhet të nisë në mbyllje të muajit qershor, (pra dje). Duke pasur në duar rezultatet e D1 dhe D2, duke ditur edhe koeficientët e llojit të degës dhe ato të shkollës së mesme, me formulën e gatshme të llogaritjes së komponentëve të maturës, çdo kandidat do të mund të percaktojë vetë pikët që mund të mbledhë. Këto pikë mund t i krahasojë dhe me pikët minimale për çdo program studimi të vitit të kaluar. Bazuar në këtë krahasim, vetë maturanti do të mund të identifikojë se në cilën degë rezultatet e tij, janë më afër kuotës së përcaktuar për t u pranuar, çka e bën më të lehtë mundësinë e renditjes së atyre programeve, që e bëjnë fitues sipas rendit përkatës.

S ka penalizime

Një risi për këtë vit është se mosrenditja e 10 preferencave në formularin A2, nga maturantët që konkurrojnë për ndjekjen e shkollës së lartë gjatë vitit të ardhshëm akademik, nuk do të shoqërohet me penalizime, ashtu siç është vepruar vitet e shkuara. Në rregulloren e provimeve për 2009-n është përcaktuar se kandidatët do të hyjnë në garën e pranimit për në universitet me preferencat që do të duan, ndonëse kuadratët përbri dhjetë degëve nuk do të plotësohen të gjitha nga e para tek e fundit.

Ndryshimet në A2

Në fakt në formularin e sivjetshëm nuk pritet që të ketë ndryshime. Të paktën në përmbajtje, sepse sipas specialistëve, ndryshime të vogla do të ketë vetëm në mënyrën e formulimit të tij. Për formulimin A2, është ngritur një grup pune, i cili po merret me këtë proces, të cilët po ashtu do të shtjellojnë më vonë të gjitha kërkesat e universiteteve. Vonesa pati edhe me formularin A1, e më konkretisht me dërgimin e tyre në Drejtoritë Arsimore.



Sa kushton formulari A2

Nga 2 mijë lekë që ka qenë deri tani, pritet që këtë vit, formulari A2 të kushtojë 1500 lekë për secilin maturant. Një nisme e tillë pritet që të ndërmerret për shkak të rritjes së vlerës që duhet paguar, në rastet kur maturantët kërkojnë rivlerësim të testit, që në total një rivlerësim shkon 1600 lekë. Pak kohe më parë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vendosi të rrisë në maksimum shumën që duhet të paguajnë maturantët për korrigjimin e gabimeve në vlerësimin e testeve, të bëra nga vlerësuesit e tyre. Kështu, gabimet e mundshme në vlerësimin e testeve të Maturës, të bëra nga korrigjuesit e testeve, do të mund të ndreqen vetëm nëse maturantët do të paguajnë tarifat e përcaktuara.



Formulari A2, nga një kopje për çdo maturant

Secili prej formularëve A2, do të jetë i personalizuar. Kjo do të thote se çdo formular i tillë do të ketë nga një emër maturanti dhe do të shpërndahet vetëm në një kopje. Megjithatë, kandidatët për në universitet i kanë të gjitha mundësitë që të tregohen praktikë, duke e fotokopjuar formularin personal dhe duke bërë prova plotësimi me të. Në këtë mënyrë ata do të mund të ushtrohen me të dhënat e formularit A2, deri sa t a plotësojnë siç duhet. Edhe këtë vit formularët do të mund të merren në shtëpi, për t u dorëzuar më pas, të plotësuar në shkollë. Kjo është mënyra e vetme e cila do të shmangte çfarëdo gabimi nga ana e kandidatëve. Gjithashtu, çdo maturant që është përfshirë në provimet e Maturës Shtetërore 2009, ka një numër të veçantë regjistrimi që është përcaktuar nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Hartimi i kodeve bëhet nisur nga formularët A1 që janë plotësuar nga nxënësit pranë shkollave të tyre.



Ky lajm është publikuar: 02/07/2009