Harta e zgjedhjeve, si do të shpërndahen mandatet e Kuvendit të Shqipërisë. Tirana do të ketë numrin më të madh të deputetëve (33), Kukësi më të voglin (3)


Shaban Sulçe





Kodi i ri Zgjedhor ka sanksionuar edhe ndryshime përsa i përket numrit të mandateve që do të ketë secili nga 12 qarqet zgjedhore, ku do të konkurrohet në zgjedhjet e ardhshme. Sipas formulës së përdorur, qarku i Tiranës do të ketë numrin më të madh të deputetëve (33), ndërsa qarku i Kukësit do të ketë numrin më të vogël të deputetëve, vetëm 3 të tillë. Përcaktimi i numrit të deputetëve në qarqe është bërë sipas një formule përllogaritëse nga përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Gjithsesi, do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që tashmë, pas miratimit përfundimtar të Kodit të ri Zgjedhor, do të përcaktojë zyrtarisht numrin e deputetëve në secilin prej 12 qarqeve.





Formula

Formula për përcaktimin e numrit të deputetëve në secilin prej 12 qarqeve vijon si më poshtë. Llogaritja bëhet duke marrë numrin total të votuesve dhe ai pjesëtohet me numrin 140. Nëse janë 2.8 milionë votues, do të dilte një kuotë prej 20 mijë votuesish. Më pas shkohet në çdo qark dhe kalohet në pjesëtimin e numrit të votuesve të këtij qarku me këtë kuotë. Për shembull, në qarkun e Tiranës janë 660 mijë votues dhe pas pjesëtimit del numri 33 që përkon me numrin e mandateve të deputetëve që do të ketë në këtë qark.



Qarqet

Sipas formulës së sipërpërmendur del përafërisht numri i deputetëve që do të ketë secili prej 12 qarqeve zgjedhore. Kështu, në qarkun e Shkodrës do të konkurrohet për 11 vende në Parlament, në qarkun e Kukësit për 3 deputetë, në qarkun e Lezhës për 6 deputetë, në qarkun e Dibrës për 5 deputetë, në qarkun e Durrësit për 13 deputetë, në qarkun e Tiranës për 33 deputetë, në Qarkun e Elbasanit për 14 deputetë, në qarkun e Fierit për 16 deputetë, në qarkun e Beratit për 8 deputetë, në qarkun e Korçës për 12 deputetë, në qarkun e Gjirokastrës për 5 deputetë, në qarkun e Vlorës për 12 deputetë. Pra, konfirmohet edhe një herë se qarku i Tiranës do të ketë numrin më të madh të deputetëve, 33, gjë që do të bëjë që liderët e PD-së, PS-së dhe LSI-së ta përqendrojnë fushatën dhe energjitë e tyre pikërisht në këtë qark.



Presjet

Sipas formulës dhe rezultateve të mësipërme, numri i deputetëve në qarqe del 136, sipas pjesëtimit të plotë. Por çfarë do të ndodhë me katër vendet e tjera në Parlament? Zgjidhja do të jetë sipas presjeve dhjetore dhe katër vendet do t’u ndahen atyre qarqeve që kanë presjet më të larta. Sipas kësaj skeme, përfituesit e katër vendeve në Parlament do të jenë qarqet Berat, Dibër, Gjirokastër dhe Vlorë, të cilët kanë numrin më të lartë të presjeve dhjetore.



Qarku Numri i votuesve Numri i deputetëve



1-Shkodër 218560 11

2-Kukës 66375 3

3-Lezhë 135890 6

4-Dibër 116431 5 (6 me presjet)

5-Durrës 265180 13

6-Tiranë 660505 33

7-Elbasan 282528 14

8-Fier 327918 16

9-Berat 150871 8

10-Korçë 246700 12

11-Gjirokastër 112728 5 (6 me presjet)

12-Vlorë 257258 12 (13 me presjet)



Total 136 (140)













22 Nentor 2008