Autori i Lajmit: red.
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) kanë nisur bashkëpunimin nëpërmjet dy projekteve për rehabilitimin e zonave të nxehta mjedisore në Shqipëri. Sipas të dhënave nga MMPAU dhe PUND, projekti i identifikimit dhe vendosja sipas prioriteteve i zonave të nxehta mjedisore në Shqipëri, parashikon identifikimin dhe vlerësimin e thellë të zonave të nxehta në vend dhe gjithashtu hedhjen e tyre në një bazë të dhënash, ndërtimin e kapaciteteve të administratës mjedisore për të identifikuar dhe monitoruar në vazhdimësi zonat e nxehta dhe për të planifikuar masat e nevojshme. Projekti është i financuar nga Qeveria Holandeze me një fond prej 1.299.686 USD. Rajonet që mbulon ky projekt janë zonat e Shqipërisë së Mesme. Ndërsa, projekti i dytë, “Përforcimi i kapaciteteve në vendet e Ballkanit Perëndimor për lehtësimin e problemeve ambientale, nëpërmjet përmirësimit të zonave të nxehta me prioritet të lartë”, është pjesë e një programi rajonal dhe mbulon 9 zona të nxehta në rajon. Zona për t u rehabilituar në Shqipëri, ndodhet në stacionin hekurudhor të Bajzës, afër liqenit të Shkodrës, ku janë vendosur pesticide të skaduara dhe substanca kimike industriale. Vlera totale e projektit arrin në 2.118.840 USD. Nëpërmjet këtij projekti të përbashkët, Qeveria Shqiptare dhe UNDP kanë si qëllim zhvillimin e qendrueshëm mjedisor në Shqipëri, duke mbështetur angazhimet në procesin e hyrjes në Bashkimin Evropian.

Ky lajm është publikuar: 23/08/2008