Hyn në fuqi zyrtarisht legalizimi i qindra mijëra katrorë ndërtimeve pa leje, të miratuara në korrik nga qeveria shqiptare. Bëhet fjalë për legalizimin e zonave informale për dhjetë qarqet kryesore të vendit, të cilat u korrespondojnë rreth 950 mijë metrave katrorë ndërtime pa leje. Nga ky moment, personat që kanë të afishuar emrin e tyre në listë, kanë të drejtë të paraqiten në zyrat e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë. Në fuqi ka hyrë edhe lista e personave që kanë ndërtuar shtesa pa leje, kryesisht për zonën e Tiranës, nga të cilët përfitojnë mbi 730 individë, kurse ndërtime pa leje të miratuara në total (bashkë me shtesat), janë rreth 3800.

Për Qarkun e Tiranës është miratuar legalizimi i 1875 parcelave ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 590161,75 m2, kurse për Qarkun e Durrësit janë 382 parcela ndërtimore, me sipërfaqe trualli 151109,30 m2. Qarku i Shkodrës ka përfituar legalizimin e 25 parcelave, me sipërfaqe trualli 7625 m2, i Beratit, 55 parcela ndërtimore, me sipërfaqe 23374,10 m2, kurse Qarku i Elbasanit do të ketë përfitues të legalizuar 234 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 37630,67 m2. Qarqet e tjera që kanë përfituar nga vendimi i qeverisë janë Korça me 8 parcela, Vlora me 234, Kukësi me 16 parcela ndërtimore dhe Lezha me 47 parcela ndërtimore, ose me sipërfaqe të përgjithshme trualli 20228,22 m2.

Në bazë të ligjit të legalizimeve, banorët që kanë objekte pa leje do të paguajnë për truallin e zënë. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe deri në 100 m2 është 100 mijë lekë të reja; për sipërfaqe deri në 200 m2 çmimi është 150 mijë lekë; për sipërfaqe deri në 300 m2 çmimi është 200 mijë lekë; për sipërfaqe deri në 400 m2 çmimi është 300 mijë lekë dhe për sipërfaqe deri në 500 m2, pagesa është 400 mijë lekë. Ndërsa për parcelat ndërtimore që ndodhen brenda vijave të verdha, banorët do të paguajnë për sipërfaqe deri në 100 m2, 200 mijë lekë; për sipërfaqe deri në 200 m2, 300 mijë lekë; për sipërfaqe deri në 300 m2, 400 mijë lekë; dhe për sipërfaqe deri në 300 m2 banorët, do të paguajnë sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Në bazë të paketës financiare, për objektet informale që kanë funksion social-ekonomik, vlera në lekë e parcelës ndërtimore do të llogaritet duke u bazuar në çmimin e tregut për metër katror në momentin e kalimit të pronësisë.